Παράκαμψη προς το κυρίως περιεχόμενο

Aksidente Industriale

viomixanika-atiximita

Aksidente industriale

Udhëzime të përgjithshme për vetëmbrojtjen nga aksidentet industriale

Më poshtë jepen udhëzimet e përgjithshme për vetëmbrojtjen që duhen ndjekur në rast aksidenti industrial. Ju lutem kini parasysh se përveç udhëzimeve të përgjithshme të mësipërme, informacion të mëtejshëm specifik për kantieret postohet nga operatorët individualë për çdo kantier që është objekt i dispozitave të SEVESO III ( SEVESO). Ky informacion mund të gjendet në faqen e internetit të rajonit përkatës..

INFORMOHUNI

Në rast aksidentesh industriale ku përfshihen substanca të rrezikshme, autoritetet kompetente, pas ndjekjes së rekomandimeve përkatëse të përgjegjësit të Shërbimit Zjarrfikës në vend, vendosin masat më të sigurta që duhen zbatuar, sipas rastit, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, p.sh.:

  • qëndrimi në ambiente të brendshme të sigurta ose
  • evakuimi proaktiv/i organizuar.

Vini re se në mënyrë që kreu i Shërbimit Zjarrfikës në kantier të vlerësojë masat më të sigurta mes qëndrimit në ambientet e brendshme apo evakuimit të organizuar të qytetarëve, merr parasysh faktorë të ndryshëm, si për shembull rezultatet e mostrave të zgjedhura apo të matjeve të kryera, kohën e kërkuar për një evakuim të organizuar në lidhje me shpërndarjen e kohës/hapësirës së përqendrimit të tymit toksik, ndikimi potencial i kimikateve te njerëzit, cenueshmëria e zonës përreth ndërmarrjes etj.

Ndaj, është e rëndësishme që të:

  • Studioni, familjarizoheni dhe zbatoni udhëzimet e përgjithshme të dhëna më poshtë, si edhe udhëzimet e vetëmbrojtjes specifike për kantierin të Seveso-s, të postuara në faqen e internetit të rajonit përkatës, deri në momentin që do të merrni udhëzime të veçanta gjatë një aksidenti.
  • Në rast të një aksidenti, ndiqni vetëm udhëzimet e dhëna nga autoritetet kompetente nëpërmjet medieve informative dhe medieve sociale.

Çdokush duhet të jetë i familjarizuar me udhëzimet të mëposhtme, veçanërisht ata që jetojnë, kalojnë apo shpenzojnë shpeshherë kohë në zona ku ka:

  • Kantiere industriale që trajtojnë substanca të rrezikshme (subjekt ose jo të dispozitave të Direktivës Seveso-III).
  • Akse transporti që përdoren për të transportuar substanca të rrezikshme.
  • Pista patinazhi në akull dhe frigoriferë të mëdhenj industrialë.
  • Impiante të trajtimit të ujit ku përdoret klorur gazi.

SI DUHET VEPRUAR

A. Përpara një aksidenti industrial

Jini të përgatitur

  • Studioni, familjarizohuni dhe zbatoni udhëzimet e vetëmbrojtjes specifike për kantierin të Seveso-s, të postuara në faqen e internetit të rajonit përkatës.
  • Pasi të lexoni këto udhëzime, diskutojeni çështjen me çdokënd në familjen tuaj.
  • Mblidhni sendet e mëposhtme ose sigurohuni që t’i mblidhni ato shpejt në një dhomë:
  •      - Shirit ngjitës izolant (ngjitës letre), për të izoluar boshllëqet në kornizat e dyerve dhe dritareve (në rast të një tymi toksik).

         - Gërshërë.

         - Mbulesa plastike (të prera sipas përmasës së duhur) apo qese plastike plehrash për të mbuluar hapjet e kondicionerëve.

         - Peshqirë dhe lecka të vogla.

         - Elektrik dore me bateri (bateritë duhen ruajtur pranë elektrikut të dorës, përndryshe ato duhen kontrolluar rregullisht), në rast të shkëputjes së energjisë elektrike.

         - Kutia e ndihmës së shpejtë.

         - Ilaçet e nevojshme për këdo në familje.

         - Artikuj të tjerë që mund të kërkohen posaçërisht.

  • Zgjidhni dhomën në shtëpinë tuaj që ofron mbrojtje maksimale. Merrni parasysh se dhoma duhet të:
  •      - Jetë në qendër të shtëpisë suaj.

         - Të ketë numrin minimal të dritareve dhe dyerve, të tilla që të mbyllen mirë.

         - Të komunikojë me tualetin kryesor apo gjysmë-tualetin.

         - Të mos ketë dritare në anën e rrezikshme (ndërmarrjes apo rrugës).

         - Të mos ketë asnjë hapësirë për qarkullimin e ajrit me mjedisin e jashtëm (p.sh. vatër zjarri, kondicionerë, hapje për ventilim etj.).

         - Të jetë në katin më të lartë të mundshëm (pjesa më e madhe e gazeve toksike, duke qenë se janë më të rënda se ajri, lëvizin drejt shtresave më të ulëta të ajrit).

  • Kontrolloni dhomën e parazgjedhur për rrjedhje (nëse ka ndonjë hyrje ajri) në një ditë me erë. Izoloni në mënyrë të përhershme hapjet e dritareve me shirita ngjitës, në mënyrë që dhoma të ofrojë një nivel të lartë mbrojtjeje.
  • Drejtoni me kujdes mjetin përreth ndërmarrjes industriale apo mjeteve që transportojnë substanca të rrezikshme.

B. Gjatë një aksidenti industrial, ndiqni udhëzimet e përgjithshme të mëposhtme kudo që të ndodheni:

  • Qëndroni të qetë dhe mundohuni të qetësoni ata që keni pranë.
  • Qëndroni ose lëvizni menjëherë në një ambient të mbyllur të sigurt dhe shmangni lëvizjet në rrugë. Qëllimi është që të mbroni veten nga kimikatet e rrezikshme që mund t’ju hyjnë në shtëpi, nga shpërthimet e mundshme (fragmentet parësore dhe dytësore) dhe nga rrezatimi termik.
  • Mbyllni mirë çdo derë dhe dritare (brenda dhe jashtë). Fikni çdo ventilator dhe kondicioner.
  • Përgatisni peshqirë të lagur për të mbrojtur veten në rast ekspozimi ndaj substancave që irritojnë frymëmarrjen.
  • Shuani çdo flakë, fikni sobën me gaz dhe mos pini duhan.
  • Në çdo rast, ndiqni medien dhe qëndroni të lidhur në rrjetet sociale. Besoni vetëm njoftimet zyrtare dhe ndiqni vetëm udhëzimet e autoriteteve kompetente.
  • Në rast të një aksidenti në një kantier SEVESO, ndiqni udhëzimet specifike për vetëmbrojtjen, të postuara në faqen e internetit të rajonit përkatës.
  • Prisni që autoritetet kompetente të japin informacion lidhur me përdorimin e ujit të rubinetit ose pini vetëm ujë të ambalazhuar.
  • Mos shkoni në vendin e aksidentit.
  • Shmangin marrjen në telefon të autoriteteve apo shokëve dhe të afërmve, përveç rasteve kur mund të keni nevojë për ndihmë të menjëhershme. Përdorimi i panevojshëm i telefonit i mban linjat të zëna dhe pengon përdorimin e tyre në rastet e emergjencës.
  • Mos e ekspozoni veten apo të tjerët ndaj rrezikut.
  • Nëse ndodheni brenda një ndërtese larg shtëpisë suaj, zbatoni planin e emergjencës të asaj ndërtese.

Në veçanti:

I.   Nëse ndodheni në shtëpi dhe keni kohë

  • Mbyllni mirë të gjitha dritaret, grilat dhe perdet, si edhe dyert e jashtme dhe të brendshme të shtëpisë suaj, pa i kyçur ato.
  • Për asnjë arsye mos iu afroni dritareve. Ekziston rreziku i dëmtimit nga xhamat e thyer.
  • Shuani çdo flakë, fikni kondicionerin, qoftë ose jo pjesë e sistemit qendror, si dhe fikni sistemet e ventilimit, aspiratorin e kuzhinës, ventilatorët dhe çdo sistem ngrohjeje/ftohjeje.
  • Nëse dyshoni për rrjedhje gazesh të ndezshme, fikni çelësat kryesorë të energjisë elektrike dhe të gazit natyror, për të parandaluar një shpërthim të mundshëm.
  • Mbuloni kondicionerët me qese plastike plehrash.
  • Mos përdorni bombola gazi.
  • Mos pini duhan.
  • Futini kafshët shtëpiake brenda në shtëpi.
  • Izoloni çdo hapësirë në kornizat e dyerve dhe dritareve (në të katërta anët) me shirit ngjitës izolant (ngjitës letre) apo me çdo mënyrë tjetër të disponueshme. Përveç kësaj, ose si alternativë, mund të përdorni peshqirë apo batanije të lagura, fletë plastike, letër alumini apo letër me parafinë (letër pjekje).
  • Mbuloni vrimën e çelësit dhe dorezën e derës me ngjitës letre.
  • Duke përdorur ngjitës letre dhe fletë plastike, izoloni mirë oxhakun e vatrës, aspiratorin e kuzhinës, të gjitha sistemet e ngrohjes, hyrjet e ajrit dhe sistemet e ventilimit, si dhe të gjitha dyert dhe dritaret. Përveç kësaj ose si alternativë, mund të përdorni peshqirë apo çarçafë të lagur, letër alumini apo letër prej dylli (letër që përdoret për pjekje).
  • Mos e përdorni ashensorin (ai vepron si pompë, duke futur ajër brenda ndërtesës).
  • Shkoni te dhoma e parazgjedhur.
  • Në rast se, pavarësisht përpjekjeve tuaja, në ndërtesë hyjnë gaze të rrezikshme, palosni disa herë një peshqir apo rrobë të lagur, mbuloni gojën dhe hundën dhe merrni frymë nga pak në mënyrë që të filtroni ajrin që po thithni. Përndryshe, përdorni dushin.
  • Informoni fqinjët për rrezikun.
  • Ndiqni medien dhe qëndroni të lidhur me rrjetet sociale. Besoni vetëm njoftimet zyrtare dhe ndiqni vetëm udhëzimet e autoriteteve kompetente.

Rreziqet nga qëndrimi në shtëpi

  • Në rast aksidenti industrial ku çlirohen gaze helmuese, mbyllja e të gjitha dyerve (brenda dhe jashtë) siguron një nivel të lartë mbrojtjeje për sa kohë që ajri i ndotur me kimikate mbahet jashtë shtëpisë. Ajri i ndotur që hyn në shtëpi mund të ketë pasoja tepër të rënda për shëndetin e njeriut. Duke qenë se për shumë kimikate, doza vdekjeprurëse është jashtëzakonisht e ulët, qoftë edhe ekspozimi më i vogël ndaj substancave kimike mund të shkaktojë dëme të pakorrigjueshme shëndetësore. Për këtë arsye, është tepër e rëndësishme të izoloni siç duhet të gjitha boshllëqet në kornizat e dyerve apo dritareve. Për më tepër, të gjitha sa më lartë duhen kryer sa më shpejt të jetë e mundur, pa humbur kohë të vyer.
  • Megjithatë, në momentin që rreziku ka kaluar, është po aq e rëndësishme që të ajrosni shpejt dhe plotësisht shtëpinë tuaj, për ta pastruar nga i gjithë ajri i ndotur me substanca toksike.

II.    Nëse ndodheni në makinë

  • Mbyllni mbani dritaret të mbyllura, fikni sistemin e kondicionimit dhe ventilimit dhe mbyllni çdo hyrje ajri. Në këtë mënyrë, siguroni mbrojtje për një kohë shkurtër.
  • Në rast se mund të largoheni nga zona, qëndroni brenda makinës dhe drejtoni me kujdes.
  • Në rast se nuk mund të largoheni nga zona dhe ka një ndërtesë të sigurt pranë, parkoni makinën në një vend ku nuk pengoni trafikun dhe hyni në ndërtesë. Nëse nuk ka një ndërtesë të sigurt afër, ruani qetësinë dhe qëndroni në makinë.
  • Ndiqni medien dhe qëndroni të lidhur me rrjetet sociale. Besoni vetëm njoftimet zyrtare dhe ndiqni vetëm udhëzimet e autoriteteve kompetente.

ΙΙΙ. Nëse ndodheni larg nga një ndërtesë e sigurt dhe pranë vendit të aksidentit

  • Largohuni sa më parë të jetë e mundur nga vendi i aksidentit.

Nëse ndodheni...

  • Në drejtim të erës nga vendi i aksidentit (zona B në skicën e mëposhtme), largohuni duke lëvizur vertikalisht me drejtimin e erës apo rrjedhën e ujit.

  • Në drejtim të kundërt me erën nga vendi i aksidentit (zona A në skicën e mëposhtme), largohuni duke lëvizur në drejtim të kundërt me drejtimin e erës apo rrjedhën e ujit.
  • Si rregull i përgjithshëm, shkoni në një vend më të lartë, meqenëse shumë substanca toksike janë më të rënda se ajri.
  • Mos ecni dhe mos prekni në mënyrë të panevojshme sipërfaqet ku ka rrjedhur substanca.
Σχέδιο ζώνης προστασίας ανάλογα με τη φορά του ανέμου
  • Mos pini duhan.
  • Mbuloni trupin sa më shumë të jetë e mundur.
  • Filtroni ajrin që frymëthithni nga gazet, pluhuri apo piklat e rrezikshme, duke mbuluar gojën dhe hundën me një peshqir apo leckë të palosur, ose me maskë, dhe merrni frymë nga pak.
  • Ndiqni medien dhe qëndroni të lidhur me rrjetet sociale. Besoni vetëm njoftimet zyrtare dhe ndiqni vetëm udhëzimet e autoriteteve kompetente.

IV.    Nëse shihni një aksident dhe pasi të keni lëvizur në një distancë të sigurt

  • Telefononi Shërbimin Zjarrfikës në 199.
  • Jepni detaje të sakta (vendndodhjen, distancën nga vendi i aksidentit, emrin, numrin e kontaktit etj.) dhe përshkruani incidentin.
  • Shënim:
  •     - Nëse ka viktima, vlerësoni numrin e personave të përfshirë (numrin e viktimave, të plagosurve) dhe simptomat që kanë ata (p.sh. marrje mendsh, dhimbje koke, acarim të syve etj.)

        - Ngjyrën e tymit apo lëngut që ka rrjedhur.

        - Aromat dhe zhurmat e çuditshme, nëse ka.

        - Sjelljen e resë, nëse ka (drejtimin e lëvizjes, lart apo poshtë etj.) ose sjelljen e lëngut.

        - Nëse ka ndonjë informacion/shenja në paketim, kontejnerë (fuçi, kanoçe dhe paleta) apo autobote (emri i kompanisë etj.) (në rastin e një aksidenti që përfshin një autobot).

Në rastin e një aksidenti që përfshin një autobot që transporton substanca të rrezikshme

Tregoni vëmendje të veçantë

 
  • Nëse ka shenja me ngjyrë portokalli (shenja paralajmëruese që identifikojnë materialet e ngarkesës), vini re dy numra (një numër dyshifror/treshifror dhe një numër katërshifror), numrat e ashtuquajtur UN, p.sh.

  • Nëse ka ndonjë etiketë rreziku në formë e diamanti me ngjyra (të kuqe, të verdhë, blu, etj.), ilustrime (shpërthim bombe, flakë të bardhë ose të zezë, kafkë dhe kocka etj.) dhe numra në cepin e poshtëm (1.1., 3, 4 etj.). Shihni shembujt e mëposhtëm:

  • Çfarë ndodhet pranë vendit të aksidentit (ambiente, ndërtesa, shkolla, qendra kujdesi ditor, qendra për të moshuarit, stacione/ndalesa të transportit në masë, sheshe, lumenj, liqene, kanale kullimi etj.).
  • Mos u shkëputni nga lidhja telefonike, përveç rasteve kur udhëzoheni nga operatori - ai mund t’ju kërkojë informacion shtesë.

 V.    Nëse ekspozoheni ndaj një kimikati

elefononi menjëherë për ndihmë mjekësore.

Qendra Kombëtare e Emergjencave (QKE) 166
Qendra për Trajtimin e Rasteve të Helmimit: (+30) 210 7793777

C. Pas aksidentit

  • Ndiqni vetëm udhëzimet e autoriteteve kompetente.
  • Veproni me shpejtësi nëse keni rënë në kontakt apo jeni ekspozuar ndaj substancave të rrezikshme.
  • Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore nëse keni simptoma të pazakonta.
  • Në rast se nuk jeni larguar nga zona, qëndroni atje derisa autoritetet kompetente t'ju udhëzojnë që të ktheheni në shtëpi.
  • Pasi jeni informuar se aksidenti ka përfunduar dhe se është e sigurt që të ktheheni në shtëpi:
  • -    Ajrosni mirë të gjitha dhomat.

    -    Lërini këpucët jashtë para se të hyni në shtëpi, për 1-2 ditët vijuese.

    -    Pastroni të gjitha mobiliet dhe pajisjet në shtëpi (dyert, dritaret, qilimat, dyshemetë), si dhe ambientet e jashtme (ballkonet, shkallët, tarracat).

    -    Bëni dush përditë, duke larë plotësisht duart, flokët dhe qimet e fytyrës.

    -    Mos hani fruta dhe perime të zonës. Në vend të tyre, konsumoni ushqim të paketuar nga zona të tjera.

    -    Kur autoritetet kompetente t’ju informojnë se është e sigurt të konsumoni fruta dhe perime të zonës, vazhdoni konsumimin e tyre sipas udhëzimeve të autoriteteve (p.sh. lajini mirë përpara se t’i konsumoni).

    -    Nëse do të jetë e nevojshme, autoritetet kompetente, do të ndalojnë kullotjen e lirë për blegtorët.

    -    Për më tepër, autoritetet kompetente do t’ju informojnë lidhur me përshtatshmërinë e konsumimit të prodhimeve shtazore dhe ato të peshkut.

    -    Prisni që autoritetet kompetente të informojnë lidhur me përdorimin e ujit të rubinetit.

    -    Prisni që autoritetet kompetente të informojnë lidhur me përshtatshmërinë e plazheve të zonës për të notuar.

    -    Sigurohuni që fëmijët e vegjël të mos futin në gojë objekte që mund të jenë të ndotura nga substancat toksike.

    -    Raportoni praninë e avujve apo substancave të tjera të rrezikshme te Shërbimi Zjarrfikës i zonës suaj.

Informacioni specifik për kantieret SEVESO

Kantieret SEVESO licencohen rast pas rasti nga Ministria e Mjedisit dhe Energjisë dhe nga Drejtoritë e Zhvillimit të rajoneve përkatëse [që sipas dispozitave të nenit 100 të ligjit 4605/2019 (Fletorja Zyrtare 25/A/1.4.2019) janë përgjegjëse, që prej datës 1.4.2019, për të dhënë licenca për prodhimin e gazit mjekësor dhe gazit të ngjeshur dhe/ose për impiante të mbushjes së këtyre gazeve në shishe, më parë nën kompetencat e Sekretariatit të Përgjithshëm për Industrinë (Ministria e Zhvillimit dhe Investimeve)]. Kantieret ndahen në ndërmarrje të kategorisë së lartë dhe të ulët, në varësi të sasisë së substancave të rrezikshme që ato mbajnë.

Informacion më i detajuar lidhur me të gjitha ndërmarrjet që i nënshtrohen dispozitave të Direktivës SEVESO-III (kantieret SEVESO) jepen nga operatorët e tyre individual për:

  • Drejtorinë e Pavarur të Mbrojtjes Civile të rajonit përkatës, pas një kërkese përkatëse të kësaj të fundit drejtuar autoritetit kompetent të licencimit për ndërmarrjet e kategorisë së lartë dhe
  • Shërbimin Zjarrfikës i zonës suaj dhe/apo Drejtorinë e Planifikimit për Fatkeqësitë Natyrore të Sekretariatit të Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile, pas kërkesës përkatëse të kësaj të fundit drejtuar autoriteteve kompetente të licencimit për ndërmarrjet e kategorisë së ulët.

Në kontekstin e këtij komunikimi, vihen në dispozicion informacionet e mëposhtme:

  • Informacioni lidhur me udhëzimet bazë të sigurisë që duhet të ndjekin qytetarët në rast të një aksidenti në ndërmarrje.
  • Një përshkrim i natyrës së rreziqeve që lidhen me rreziqet e aksidenteve të shkallës së gjerë brenda ndërmarrjes dhe të ndikimit të tyre potencial te shëndeti publik.